Faqe Kryesore - Rreth nesh - Arkiva e njoftimeve
Kёrko
FoAP
Shqip English
Preth Nesh Puna Jonë Databaze Burime
. . .
Rreth Nesh
Anëtarët e Projektit
Arkiva e njoftimeve
Kontakte

 

 

Arkiva e njoftimeve


Takimi vjetor i Shoqatës Europiane të Arkeologëve, 2010


Gjatë 1 dhe 5 shtatorit të vitit 2010, projekti FoAP morri pjesë në takimin vjetor të 16-të të Shoqatës Europiane të Arkeologëve, e mbajtur këtë vit në qytetin e Hagës, Hollandë. Projekti FoAP mori pjesë në sesionin “Instrumente për mirë administrim në kërkimin arkeologjik dhe menaxhimin e trashëgimisë”, ku u paraqitën shembuj të sjellë nga grupe të ndryshëm arkeologësh të përfshirë në menaxhimin cilësor të proceseve të punës në arkeologji. Në këtë takim, Ardit Miti, mbajti prezantimin me titull “Virtualizimi i të dhënave arkeologjike dhe trashëgimore; nga e dhëna fizike dhe arkivore drejt krijimit të të një DBMS”, ku u fol mbi punën e ndërmarrë nga projekti FoAP në kërkimin, dokumentimin, pozicionimin në hartë dhe analizimin e të dhënave mbi sitet arkeologjike dhe historike në Shqipëri. Gjithashtu u paraqitën shembuj të cilët tregonin se si aplikimi i sistemit të databazes dhe hartës GIS ka mundësuar rritjen e cilësisë së të dhënave për sitet arkeologjike, korrigjimin e vendosjes së tyre hapësinore në hartë, si dhe në parashikimin e vendndodhjeve të reja për sitet dhe monumente. Pjesëmarrja në konferencë ishte një mundësi e mirë për të diskutuar dhe shkëmbyer ide me kolegë ndërkombëtarë mbi aspekte të ndryshme të arkeologjisë dhe trashëgimisë. Për më tepër informacion mund të shfletoni websitin e konferencës http://www.eaa2010.nl


FoAP në konferëncën vjetore Aplikime Kompjuterike dhe metoda përllogaritëse dhe Arkeologji – CAA 2010: Ndërthurje Kulturash

Për vitin 2010 konferenca e CAA u mbajt në datat 5 dhe 9 prill, në qytetin historik të Granadës, Spanjë http://www.caa2010.org. Zhvillimet e projektit FoAP u paraqitën nëpërmjet dy prezantimeve, të mbajtura në dy sesione të ndryshme të konferencës. Një prej prezantimeve me titull “Zhvillimet e sistemit kombëtar të regjistrimit të siteve dhe monumenteve arkeologjike në Shqipëri”, u paraqit në sesionin Databazat dhe Menaxhimi i Informacionit. Problemet kryesore të diskutuara në këtë prezantim lidheshim me zhvillet e strukturës së databazes dhe platformës së hartës GIS, të mirat që ka sjellë aplikimi i këtij sistemi në vend si dhe problemet me të cilat përballet stabiliteti i së ardhmes së projektit. U diskutua gjithashtu edhe mbi problemet e ndryshme kërkimore dhe politike të trashëgimisë arkeologjikeqë që ka nxjerrë në pah përdorimi i sistemit FoAP, të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Prezantimi i dytë, me titull “Shpërndarja e siteve dhe monumenteve nëpërmjet përdorimit të web-GIS: Një qasje me burimet e hapura (open source)” u paraqit në sesionin Teknologjitë e reja dhe burimet e hapura në edukimin e lartë në arkeologji. Në këtë prezantim u diskutua mbi metodologjinë e aplikuar në ndërtimin e sistemit të web-GIS-it të projektit, i cili mundëson paraqitjen hapësinore në formën e një sërë hartash interaktive në internet të të dhënave mbi sitet dhe monumentet arkeologjike të arkivit dixhital të projektit FoAP. Nëpërmjet aplikimit të këtij sistemi sigurohet akses tek të dhënat arkeologjike dixhitale të projektit për qëllime kërkimi dhe edukimi. Të dyja prezantimet u mirëpritën nga pjesëmarrësit në konferencë, të cilat treguan interes në metodologjinë e aplikuar dhe në zhvillimin e qëndrueshmërinë e projektit.


Prezantimi i Fjalorit arkeologjik në Prishtinë, Kosovë

Më 29 Janar, të vitit 2010, publikimi i ri me titull, “Fjor i Arkeologjisë” u prezantua gjithashtu në Prishtinë, Kosovë. Ky libër i shkruar nga Ardit Miti dhe Eglantina Serjani, u mirëprit nga specialistë të arkeologjisë, historisë dhe trashëgimisë kulturore, si edhe nga publiku i gjerë. Ceremonia e promovimit u mbajt në ambientet e muzeut arkeologjik të Prishtinës, ku morën pjesë specialistë nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore, Universiteti i Prishtinës, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Instituti i Albanologjisë dhe Ministria e Arsimit. Një serë fjalimesh mikpritëse u mbajtën, fillimisht nga drejtori i trashëgimisë dhe departamentit të kulturës në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, drejtori i Institutit të Arkeologjisë, si dhe përfaqësuesi për kulturën në ambasadën shqiptare në Kosovë. Fjalën e mbylljes e mbajti arkeologu Kemajl Luci, i cili shprehu optimizmin e tij për të ardhmen si dhe për bashkëpunime të mëtejshme institucionale midis Prishtinës dhe Tiranës.


Promovimi i Fjalorit të Arkeologjisë, Tiranë, 2009

Të mërkurën e datës 14 tetor, 2009, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u organizua ceremonia e promovimit të Fjalorit të Arkeologjisë, një libër nga Ardit Miti dhe Eglantina Serjani. Ky libër është një prej publikimeve të Fondacionit Trashëgimia Shqiptare, i mundësuar nëpërmjet mbështetjes financiare të Institutit Pakard për Shkencat Humane dhe ndihmën e drejtorit shkencor të fondacionit, prof. Richard Hodges. Gjithashtu një ndihmë të rëndësishme në këtë botim ka dhënë edhe prof. Neritan Ceka, i cili krye redaktimin shkencor të librit. Botimi shënon iniciativave e parë në publikimin e një fjalori të plotë të termave arkeologjik në Shqipëri. Ky libër do të jetë një instrument i rëndësishëm për studentët, specialistët e rinj të arkeologjisë si dhe për të interesuarit në fushën e arkeologjisë e trashëgimisë, të cilët nëpërmjet këtij libri lehtësisht do të kuptojnë dhe njohin terminologjinë. Ju lutem klikoni për më tepër informacione.


Takimi i Evropës Juglindore Lindore (SEE) për Trashëgiminë , Berat 2008

Midis 21 dhe 23 Qershorit të vitit 2008, Fondacioni Trashëgimia Shqiptare organizoi në qytetin historik të Beratit, konferencën e radhës të organizatës së Evropës Juglindore (SEE), për trashëgiminë me temë “Turizmi kulturor si mjet për zhvillimin e qëndrueshëm”. Projekti FoAP mori pjesë në konferencë me prezantimin me titull “Përcjellja e vlerave të trashëgimisë kulturore në të ardhmen nëpërmjet ruajtjes së të shkuarës”. Në këtë prezantim u paraqit eksperienca e projektit FoAP në aplikimin e praktikave më të mira në procesin e regjistrimit dhe ruajtjes së të shkuarës si një qasje e përshtatshme për të ardhmen.


Takimi vjetor i konferencës Aplikime Kompjuterike dhe metoda përllogaritëse në arkeologji (CAA) 2007: Shtresa Perceptimi

Takimi vjetor i konferencës Aplikime Kompjuterike dhe metoda përllogaritëse në Arkeologji (CAA) për vitin 2007, u mbajt midis datave 2 dhe 6 prill në Berlin të Gjermanisë. Projekti FoAP mori pjesë në konferencë me prezantimin me titull “E ardhmja e Trashëgimisë Shqiptare” e mbajtur në sesionin “Të dhënat dixhitale kombëtare për monumentet – Përse? Ku?”. Ky prezantim ishte një paraqitje e arkivit elektronik për sitet dhe monumentet të projektit FoAP për kolegët ndërkombëtarë, të cilët punojnë në të njëjtën fushë. Prezantimi i informoi pjesëmarrësit mbi historikun dhe situatën aktuale të menaxhimit të të dhënave arkeologjike në Shqipëri si dhe kushtet të cilat çuan në krijimin e sistemit dixhital të projektit FoAP. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe struktura teknike e sistemit të databazes, standardet dhe metodologjia e aplikuar në procesin e regjistrimit dhe menaxhimit të të dhënave për sitet dhe monumentet arkeologjike.


Takimi vjetori Institutit Shqiptar të Arkeologjisë, 17 dhjetor 2006, Tiranë

Takimi vjetor i Institutit Arkeologjik për vitin 2007 u mbajt në ambientet e bibliotekës së këtij institucioni. Projekti FoAP mori pjesë në takim nëpërmjet prezantimit të rezultateve të fundit të sërvejit të ndërmarrë në rrethet e Beratit dhe Skraparit. Në këtë takim, u krijua mundësia e diskutimit midis kolegëve për situatën kritike në të cilët gjenden qendrat dhe monumentet e zonës së vëzhguar si dhe ndërhyrjet që duhen marrë me qëllim mbrojtjen dhe restaurimin e tyre. Gjithashtu, të pranishmëve ju prezantua harta e parë dixhitale e rajonit.


Seminar i organizuar nga projekti FoAP në qytetin historik të Beratit, 4 dhjetor 2006

Projekti FoAP në bashkëpunim ne Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Berat, organizoi në këtë qytet një seminar në shkallë të gjerë, me temë: “Rajoni i Beratit, mundësi dhe perspektiva në zhvillimin dhe mbrojtjen e vlerave arkeologjike dhe kulturore”. Qëllimi i organizimit të këtij seminari ishte promovimi i vlerave kulturore dhe arkeologjike të qytetit të Beratit, si edhe prezantimi i hartës së re arkeologjike të qytetit. Ju lutemi klikoni për më tepër informacion.


FoAP në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, 25 Maj 2006

Në 25 Maj të vitit 2006, projekti FoAP organizoi një seminar në Universitetin, “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Seminari i organizuar me studentë dhe pedagogë të degës histori-gjeografi të këtij universiteti, kishte si qëllim ti njihte të pranishmit me sistemin e arkivit elektronik për sitet dhe monumente të projektit FoAP, si dhe rëndësinë e tij në menaxhimin e të dhënave të trashëgimisë kulturore të vendit. Gjithashtu në seminar u prezantua problematika dhe situata e vështirë në të cilën gjenden vlerat e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, e në veçanti sitet dhe monumentet e zonës së Sarandës, Gjirokastrës dhe Tepelenës, duke diskutuar mbi mundësitë e studentëve për të kontribuar në mbrojtjen dhe menaxhimin e tyre, si vlera të rëndësishme në shërbim të zhvillimit kulturor të zonës.


Prezantimi i projektit FoAP në takimin vjetor të Institutit Shqiptar të Arkeologjisë, 14 Dhjetor 2005

Prezantimi i mbajtur më 14 Dhjetor të vitit 2005 në takimin vjetor të Institutit të Arkeologjisë, paraqiti në një ambient të hapur arkeologësh, projektin e ri të sapo krijuar “Future of Albania’s Past” (FoAP). Problemet kryesore të diskutuara në takim lidheshin me kushtet sociale-politike-ekonomike në vend, si faktorët kryesorë të cilët sollën krijim e arkivit elektronik të projektit FoAP.
Të pranishmit u njohë më strukturën teknike të databazes dhe rëndësinë e sistemit si një mjet i rëndësishëm kërkimi dhe edukimi. Gjithashtu, u diskutua edhe mbi zhvillimet dhe objektivat e ardhshme të projektit FoAP.

   
 
  © 2010 Projekti FoAP. Të gjitha të drejtat të rezervuara.